Dejona Mihali ka thënë se me Nagip Krasniqin është takuar vetëm “një apo dy herë” që prej emërimit të tij kryeshef i Korporatës Energjetike të Kosovës.
Koordinatorja e Komiteteve të Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se ka kërkuar informata nga Nagip Krasniqi në emër të partisë, e jo të sajin personal, në një dëshmi dhënë prokurorëve specialë në shtator të vitit 2024.
Sipas dëshmisë së Mihalit, ajo dhe ish-kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës ishin njohur në kuadër të Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje në vitin 2009-2010.
“Sqaron se të pandehurin Nagip Krasniqi e kishte njohur në kuadër të këtij komiteti nga viti 2009-2010 si ekspert të kësaj fushe. Ndërkaq, pas emërimit të të njëjtit si kryeshef ekzekutiv në KEK, e kishte takuar një apo dy herë dhe kishin diskutuar lidhur me krizën energjetike. Dëshmon se në emër të Lëvizjes Vetëvendosje kishte kërkuar informacione mbi gjendjen energjetike dhe se përmes platformave sociale WhatsApp, Signal, Viber, e-mail dhe telefon kishte komunikuar disa herë, ku kishin diskutuar për gjendjen energjetike, komunikime lidhur me disa sinjalizime nga persona anonim që kishin marr lidhur me remontin e Kosovës A, por edhe disa artikuj nga portalet elektronike”, citohet të ketë dëshmuar Mihali.
Ajo ka shtuar se të gjitha këto komunikime me të pandehurin janë zhvilluar në grupin e tyre në WhatsApp ku ishin edhe Kryeministri, Zëvendëskryeministri, Ministrja e Ekonomisë, Ministri i Financave si dhe këshilltari i Ministres së Ekonomisë.
“Më tutje sqaron se shkëmbimi i informacioneve ishte brenda një grupi kolegial dhe të bashkëpunimit të mëhershëm dhe se nuk kishte të bënte me pozicione duke shtuar se kjo ishte puna e saj e përditshme si koordinatore e Lëvizjes duke qenë se kishte marr pjesë në hartimin e programit qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje. Po ashtu, shton se nuk i kujtohen të gjitha bisedat dhe konsultimet sepse nuk kishin qenë në vëmendjen e saj”, citohet të ketë deklaruar Mihali.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale ndaj Nagip Krasniqit dhe dy të tjerëve, ish-kryeshefi i KEK-ut dyshohet se e informonte Mihalin lidhur me ecurinë dhe vendimet për tenderë të korporatës.