Data e fundit për ndërrimin e gomave po afrohet, ndryshe dënoheni me para

Publikuar më:

Ndërrimi i gomave të verës me ato të dimrit në veturë për të gjithë shoferët do të fillojë nga data 15 nëntor dhe do të zgjasë deri më datën 15 mars.

Të gjithë shoferët pa marrë parasysh kushtet atmosferike, duhet t’i zëvendësojnë gomat e verës me ato të dimrit, si dhe të pajisen me pajisje të tjera dimërore.

Ligji për rregullat e trafikut rrugor parasheh dënime për shoferët që gjatë dimrit, periudhë që përfshin kohën ndërmjet 15 nëntorit dhe 15 marsit, ngasin automjetet e tyre pa pajisje dimërore.

Shoferi, që drejton automjetin pa pajisje dimërore, dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 40 eurosh.

Sipas Ligjit, dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 100 deri në 300 euro, edhe personi juridik apo institucioni publik në emër të të cilit dhe brenda autorizimeve të të cilit ka vepruar shoferi.

Edhe pse ligji i Kosovës për rregullat e trafikut rrugor parasheh ndërrimin e gomave të verës me ato të dimrit nga data 15 nëntor deri 15 mars, ekspertët e ndryshëm ndërkombëtarë thonë se posa temperaturat të bien më pak se 7 gradë, ju duhet t’i vendosni gomat e dimrit për të pasur një fërkim, frenim dhe mbajtje më të mirë.

Gomat e sotme të dimrit jo vetëm se janë të dizajnuara të performojnë mirë në dëborë, por performojnë mirë edhe në asfalt të ftohët.

Pra duhet të mbani mend, në momentin që mund ta shihni frymëmarrjen tuaj (pra kur fryni del avull nga goja juaj), atëherë është koha t’i vendosni gomat e dimrit.

Për sigurinë tuaj dhe të pasagjerëve, vendosni goma të cilat i përshtaten veturës suaj, dhe, keni parasysh: gomat e dimrit duhet të vendosen që të katërtat për të pasur një kontroll dhe stabilitet më të mirë të veturës, përndryshe, nëse i vendosni vetëm dy gomat e para apo dy gomat pas, ju do ta rrezikoni veten.

Rikujtojmë se thellësia e vijave të gomës për përdorim të dimrit duhet të jetë më e madhe se 4 milimetra.

JU REKOMANDOJMË