Nis gjykimi ndaj dy drenicakëve që i vodhën taksistit 10 euro dhe një Nokia në Skënderaj

Publikuar më:

Mungesa e të akuzuarit G.G i cili nuk u gjet në adresën e dhënë, ka bërë që të shtyhet seanca e shqyrtimit gjyqësor, ku ai së bashku me B.G se në shkurt të 2012-ës në bashkëkryerje,  nën kërcënimin e  revoles e thikës kanë marrë nga i dëmtuari 10 euro dhe një telefon të markës “Nokia”.

Gjykatësi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Bekim Veliqi ka njoftuar se ndaj të akuzuarit G.G ka lëshuar urdhërarrest më 1 nëntor 2021, për arrestimin dhe shoqërimin me forcë të njëjtit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Por, në raportin zyrtar policor pranë stacionit policor në Skenderaj, të datës 3 nëntor 2021, është bërë e ditur se kanë shkuar në adresën e të pandehurit në fshatin Llaushë dhe kanë vërtetuar se aty nuk jeton askush.

Mirëpo, gjykata bën të ditur se nga disa persona kanë marrë informacione se tani i pandehuri G.G jeton në Fushë Kosovë.

Ndaj të pandehurit G.G, gjykata prapë më 5 nëntor kishte lëshuar urdhërarrest, drejtuar stacionit policor në Fushë Kosovë, por nuk ka pranuar ndonjë raport nga i njëjti lidhur me veprimet e ndërmarra sipas urdhëresës.

Po ashtu në seancën e së hënës kanë munguar edhe mbrojtësi i të pandehurit G.G, avokati Beshir Zani, i dëmtuari F.J dhe dëshmitarët E.G dhe B.K.

Të gjithë të lartcekurit kanë qenë të ftuar në mënyrë të rregullt, por nuk e kanë arsyetuar mungesën e tyre.

Në këtë seancë ka munguar edhe anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Sllagjan Ribaq, i cili nuk ka qenë i ftuar për datën e sotme dhe nuk ka mundur të jetë prezent.

Ndryshe, të pranishëm në seancë ishin prokurori Njazi Rexha dhe i pandehuri B.G.

Në këto rrethana, gjykatësi Veliqi bëri të ditur se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për mbajtjen e kësaj seance, andaj e njëjta u shty për 10 dhjetor 2021.

Ndryshe, ish – Prokuroria e Qarkut në Mitrovicë më 21 qershor 2012 kishte ngritur aktakuzë kundër B.G dhe G.G..

Sipas dispozitivit të parë të aktakuzës B.G dhe G.G më 15 shkurt 2012 në Mitrovicë, në bashkëkryerje, duke përdorur forcën kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme të personit tjetër.

Gjithnjë sipas aktakuzës, G.G në parkingun e taksive ka arritur marrëveshje me të dëmtuarin F.J që në çmim prej 10 euro, t’i dërgojë deri në Skenderaj, në taksi me G.G kanë hyrë edhe B.G e A.Sh, kanë vazhduar rrugën deri te market “Florenti”, ku nga automjeti kishte zbritur A.SH, ndërsa G.G dhe B.G kanë vazhduar rrugën për në Skenderaj.

Në aktakuzë thuhet se me të mbërritur në sheshin “Adem Jashari”, i pandehuri G.G e ka lutur taksistin t’i vozisë deri te spitali e pastaj deri në fshatin Llaushë duke e futur në një rrugicë me borë, atëherë i pandehuri G. ia ka drejtuar revolen në qafë, e ka kërcënuar se do ta vras dhe kërkon prej tij që t’i nxjerrë të gjitha paratë, ndërsa i pandehuri B.G e ka nxjerrë një thikë dhe e ka kërcënuar që t’i nxjerrë paratë dhe telefonin.

Tutje në aktakuzë thuhet se i pandehuri G.G i ka këputur kabllot e radiolidhjes së automjetit dhe atëherë vozitësi i automjetit nga frika ka nxjerrë nga xhepi 10 euro dhe telefonin e markës “Nokia” dhe ia jep të pandehurit, më pas dy të pandehurit kanë dalë nga automjeti dhe kanë ikur në drejtim të lagjeve “Zyhrani” dhe “Sylani”.

Me këtë, dy të pandehurit akuzohen se kanë kryer veprën penale “Grabitje” nga neni 255, par.3 e lidhur me par.1 e lidhur me nenin 23 të Kodit Penal.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, i pandehuri G.G deri me datën, kohën dhe vendin e përshkruar si në pikën 1 të dispozitivit, pa leje valide për mbajtjen e autorizuar të armëve ka poseduar pistoletën e markës dhe kalibrit tani të panjohur.

Me këtë ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve” nga neni 328, par.2 te Kodit Penal, e në bashkim real me veprën penale nën pikën 1 të dispozitivit.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

JU REKOMANDOJMË