Pagat copa-copa: Gjendje e rëndë në Trepçë, minatorët ngrenë alarmin

Publikuar më:

Një ‘copë’ 40%, një ‘copë’ 30%. Kështu i kanë marrë rrogat e muajit mars minatorët e Trepçës. Pavarësisht festës së Fitër Bajramit, pjesa më e madhe e minatorëve duket se për festë ishin pa paga.

Vonesat në ekzekutimin e pagave dhe gjendja e rënduar financiare, bëri që ndërrimi i paradites sot, ta bojkotojë punën.

Megjithatë, pas një takimi që kanë pasur me menaxhmentin, Sindikata e Minatorëve ka arritur marrëveshje.

Ditën e sotme minatorëve u kanë dalë 40% të pagave, nesër priten 30%, e paga mund të kompletohet deri javën e ardhshme.

Kështu ka bërë të ditur për gazetën Nacionale kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Treçës, Ibrahim Jonuzi.

Ai ka thënë se vonesat në ekzekutimin e mjeteve, bëri që në disa banka të vonohen pagesat.

“Vetëm 40% e pagës ka dalur sot. Ka dalë ditën e hënë, por për shkak të festës nuk janë bërë transaferet bankare, përveç bankës NLB e cila është llogari e drejtpërdrejt, veç kur ka pas llogari në NLB ka dalur 40%, sepse ka qenë kohë e shkurtër, ora ka qenë 15:30 kur kanë dalur, dhe nuk kanë arritur me u bo transferet bankare në bankat e tjera ku i kanë pasur minatorët llogaritë. Sot menaxhmenti ka konfirmuar që edhe një 30% do të dalë sot, më së largu deri nesër, kurse pjesën tjetër gjatë javës në vazhdim u dakorduam me u kry obligimet e plota ndaj minatorëve”, ka thënë Jonuzi për Nacionalen.

Ai theksoi se gjendja është tejet e rënduar në ndërmarrje, pasi muajin e kaluar nuk ka pasur prodhim si rezultat i mungesës së furnizimeve.

“Prej grevës tetor e këndej është arrit stabilitet, por ndërmarrjen e kanë pru në gjendje të rëndë financiare dhe po ka shumë probleme. Muajin e kalum ka pasur mungesë të eksploatimit të trupave xehrore për shkak të mosfurinizimeve të minierës, ka pasur vetëm riparime, remonte në eksploatim s’kemi mujt për shkak të mungesës së furnizimeve”, tha më tutje Jonuzi.

JU REKOMANDOJMË