Biznesmeni milioner nga Mitrovica, Ekrem Peci, merr pagë nga Trepça pa shkuar “kurrë” në punë – i njëjti hapi kafenenë në veri

Publikuar më:

Ekrem Peci, pronar i kafenesë “C’est La Vie” në veri të Mitrovicës të cilës po i bën reklamë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është proceduar në komision disiplinor të Trepçës së fundmi. Insajderi ka marrë vesh se përveç që nuk shkonte në punë në Minierën e Trepçës edhe po merrte pagë rregullisht në kohën e krizës së pagave të minatorëve të Trepçës.

Ministri Sveçla dhe akterë të Lëvizjes Vetëvendosje i dhanë jehonë të madhe kafenesë “C’est La Vie”, e cila u privatizua nga biznesmeni Ekrem Peci në korrik të këtij viti. Peci privatizoi pikërisht hapësirën ku po operonte dikur lokali “Dolce Vita”, ku shfrytëzohej për takime në një kohë nga strukturat kriminale në veri.

Lokali i biznesmenit Peci u reklamua nga Sveçla, derisa para disa ditësh në media u shpërnda një fotografi duke pirë kafe në “C’est La Vie” teksa po ruhej nga Njësia Speciale në veri të Mitrovicës.

Insajderi ka marrë vesh se pronari i kësaj kafeje, Ekrem Peci, nuk është paraqitur në punë në Minierën e Trepçës pavarësisht se ka marrë pagë rregullisht. Ndonëse, nuk dihet se çfarë pozite ka mbajtur Peci në këtë minierë.

Insajderi po ashtu ka arritur të sigurojë dëshmi që tregojnë se Peci është paguar rregullisht nga shoqëria aksionare Trepça, pronar i së cilës është Qeveria e Kosovës. Ai pagën e fundit e ka marrë në qershor, në muajin kur nuk iu kishin ekzekutuar pagat minatorëve. Para syve të shtetit, paga e Pecit del të jetë si primare për të.

Mediumi ka kontaktuar me ish-kryeshefin ekzekutiv të Minierës së Trepçës, Bashkim Kurti, por i njëjti ka thënë se nuk ka qenë në dijeni për një gjë të tillë gjatë kohës sa e ka mbajtur këtë pozitë. Kurti është shkarkuar nga pozita e kryeshefit të Trepçës me një vendim të Qeverisë në fillim të gushtit të këtij viti.

Se Peci është proceduar në komision disiplinor, e ka konfirmuar ushtruesi aktual i detyrës së kryeshefi ekzekutiv të Trepçës, Faton Ahmeti. Ai ka thënë se ka pranuar informacionin nga komisioni disiplinor, mirëpo nuk i di arsyet dhe ka thënë se s’e di nëse është marrë ndonjë vendim për të.

Ahmeti ka sqaruar për Insajderin se ekziston mundësia e prezumimit të pafajësisë nga biznesmeni Peci, meqë ai mund ta ankimojë vendimin e komisionit disiplinor.

“Nuk e di arsyen, se këtu është një komision disiplinor që merret me këtë çështje. Me aq sa di unë, ka shku përmes komisionit disiplinor. Unë jam i informum, por kjo shkon përmes komisionit disiplinor. Tani ai e ka të drejtën e ankesës. Sa e di unë, është procedu në komision disiplinor”, është shprehur Ahmeti.

Insajderi ka kontaktuar drejtpërdrejtë me biznesmenin mitrovicas për ta pyetur nëse është suspenduar apo shkarkuar nga Miniera e Trepçës. I njëjti ka thënë vetëm se kontratën e ka shkëputur me Trepçën pas përfundimit të pushimit vjetor.

Pronari i ‘C’est La Vie’ ka në pronësi edhe dy biznese të tjera

Peci, i cili përfitonte pagë rregullisht nga Trepça, figuron të jetë pronar në dy biznese të tjera aktive.

Në bazë të të dhënave publike në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), ai është pronar në firmën “N.N.P. ” E.R. CONSTRUCTION”, ku aktivitet kryesor i biznesit është prodhimi i artikujve të plastikës për ndërtimtari.

Biznesi figuron i regjistruar që nga 2008-a.

Po ashtu, në emër të biznesmenit Peci është edhe firma “ARRË ERB SH.P.K”, të cilën e ka të regjistruar në fund të 2022-ës.

Aktiviteti kryesor i këtij biznesi është kultivimi i frutave të tjera pemore, shkurreve dhe arrave.

Kurti në “luftë” me minatorët

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e të mërkurës kanë marrë vendimin që të ndahen 4 milionë euro për ndërmarrjen “Trepça”. Kjo, për shkak të ekzekutimit të pagave ndaj minatorëve, të cilat nuk kanë dalë tash e tre muaj.

Kurti tha se këto mjete po ndahen për ta tejkaluar krizën, teksa thumboi minatorët se nuk janë duke punuar mjaftueshëm.

“Duket se ka tepër shumë punëtorë mbi tokë për xehet e pakta të nxjerra nga nëntoka”, tha ndër të tjera Kurti.

Minatorët e Trepçës kishin paralajmëruar protestë para objektit të Qeverisë të enjten, si shkak i shprehjeve të pakënaqësisë për mos-ekzekutim të rrogave. Sindikata e Trepçës njoftoi se e ka anuluar këtë protestë.

Shumë prej punonjësve të minierës së Trepçës kanë treguar edhe publikisht se gjendja e tyre financiare dhe e familjeve të tyre është rënduar dhe kanë hyrë në borxhe.

Një minator, në kushte anonimiteti, kishte ndarë një bisedë me gruan e tij, ku bisedojnë për blerjen e disa ilaçeve për fëmijën e tyre të sëmurë.

Ndërkohë nga Ndërmarrja publike “Trepça Sh.A”, ishin arsyetuar se problemi është përformanca e ulët e prodhimit dhe humbjet e borxhet e grumbulluara.

Kurti që sot i kritikoi minatorët për punën e tyre, dikur vlerësonte lart kontributin e tyre. “Një vend pune i minatorit nën tokë, i hap katër vende pune tjera mbi tokë”, thoshte sa ishte në opozitë i pari i vendit.

Trepça na nevojitet për zhvillimin tonë ekonomik, sepse një vend pune i minatorit nën tokë, i hap katër vende pune tjera mbi tokë”, thoshte ai.

Kurti deklaronte se mosinvestimi në “Trepçë” është krim.

Ai madje atë kohë e kuptonte edhe mos-produktivitetin e minatorëve, duke e arsyetuar se nuk kanë kushte.

Nuk mund të kemi minatorë me produktivitet të duhur në këto kushte kështu, mesjetare. Mosinvestimi në “Trepçë” është një ndër krimet më të mëdha në Kosovën e pasluftës sepse nuk është krim vetëm kur bën diçka keq por edhe kur s’bën diçka mirë e, e ke përgjegjësinë për diçka të till, ”, thoshte ai

JU REKOMANDOJMË