Drejtuar nga kryetari i komunës, Agim Bahtiri, dhe në prani të nënkryetarit, Faruk Mujka, sot është mbajtur mbledhja e radhës e Bordit të Drejtorëve, ku janë diskutuar dhe shqyrtuar çështje të rëndësishme nga fushëveprimi i Bordit dhe drejtorive komunale.
Një prej temave të diskutuara është Biblioteka e Qytetit, e cila po planifikohet të largohet nga hapësira aktuale, shkruan “Jepi zë”.
Kryetari Agim Bahtiri ka kërkuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport që udhëhiqet nga Tafil Peci, që të nis procedurat e zhvendosjes së Bibliotekës. Biblioteka e Qytetit planifikohet të vendoset në hapësirat e Qendrës Multifunksionale “Omni Sport”.
Këtë ide, Bahtiri e ka bazuar në kushtet e Qendrës, të cilat thotë se janë modern.
“Duke u ndërlidhur me institucionet kulturore, gjatë kësaj mbledhje kryetari Bahtiri ka kërkuar nga DKRS-ja që të filloj edhe me procedurat për zhvendosjen e bibliotekës së qytetit në hapësirat e objektit të Qendrës Multifunksionale “Omni Sport”, pasi që janë hapësirat më moderne, me salla të leximit, dhe i plotësojnë të gjitha kushtet e nevojshme për qytetarët”, thuhet në komunikatën e Komunës.
Ndryshe, duhet theksuar se Bibliotekës i ishte ndryshuar lokacioni edhe vite më parë, kur u largua nga ndërtesa e famshme për t’u bërë market e më pas edhe restorant ku shitet FAST FOOD.