Publicisti mitrovicas, Nexhmedin Spahiu, ka kritikuar ashpër kryetarin Bedri Hamza, pas rrënimit të objektit të Shkollës Muzike.
Sipas Spahiut, ky është një krim monstruoz, shkruan “Jepi zë”.
Madje, Spahiu thotë se vendimin për rrënimin e këtij objekti, Hamza e mori gjatë natës.
Postimi i plotë:
Krim monstruoz ndaj kulturës – Komuna e Mitrovicës rrënoi objektin e shkollës së parë shqipe, objekt i vjetër mbi 150 vjeçar.
Sot e kuptova se dje Komuna e Mitrovicës paskësh kryer njërin ndër kimet më të mëdha të pasluftës ndaj kulturës, duke rrënuar në qendër të Mitrovicës objektin e shkollës më të vjetër shqipe në Mitrovicë, njërën ndër më të vjetrat në Kosovë.
E ndërtuar para një shekulli e gjysmë si shkollë fetare, në vitin 1888 filloi mësimet në gjuhën shqipe. Mësimi shqip u ndalua më 1912 pasi Serbia pushtoi Kosovën , per t’u rihapur sërish mësimi shqip më 1916 në kohën e Austro-Hungarisë kur kryetar i Mitrovicës ishte Dervish Mitrovica (1878-1878). Më 1919 sërish pushteti serb e ndaloi mësimin shqip. Më 1941 u shëndrrua serish në shkollë shqipe dhe Bedri Gjinaj i vuri emrin Shkolla “Skenderbeg”. Pas pushtimit komunist të Kosovës vazhdoi të jetë vatër arsimi deri sa viteve të 60-70-ta e deri para pak vitesh u kthye në shkollë të muzikës ku morën dhe dhanë mësim artistët më të mëdhenj kosovarë të muzikës. Rrënimi tinzar pa paralajmërim i këtij objekti e bënë kryetarin Bedri Hamza me njollë të pashlyeshme turpi për këtë veprim antikulturor e antikombëtar.
Foto e vitit 1941: Mësuesja Paulina Simon Shkreli me nxëneset e shkollës “Skenderbeg” të Mitrovicës që pushteti barbar e rrënoi dje.