Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, i njohur për parashikimet e tij elektorale jo gjithmonë të sakta, ka preferuar heshtjen në prag të raundit të balotazhit që do të zhvillohet me 14 nëntor.
Deputeti i mazhorancës, Armend Muja, ka preferuar heshtjen në prag të raundit të dytë zgjedhor në zgjedhjet lokale, duke mos dhënë asnjë parashikim se kush pritet të fitojë në natën e 14 nëntorit.
Muja, i cili në prill të këtiji viti parashikoi triumfin e Vetëvendosjes në 24 komuna, e pastaj në prag të raundit të parë të mbajtur me 17 tetor, deklaroi se subjekti të cilit ai i takon, do të fitonte pa balotazh në Prishtinë, Podujevë, Mitrovicë, Prizren dhe Gjilan.
“Lëvizja Vetëvendosje pret një fitore në zgjedhjet lokale. LVV pret një fitore të bindshme, tashmë e konfirmuar edhe nga matjet e brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje, por edhe nga fryma që dominon” – deklaroi ai.
“E dimë me siguri të madhe që në Prishtinë, Arben Vitia fiton pa balotazh. E dimë që në Podujevë, Shpejtim Bulliqi fiton pa balotazh edhe bindshëm ndaj kundërkandidatëve tjerë. E dimë që edhe Prizreni me shumë gjasë fitohet pa balotazh. Gjilani dhe Mitrovica gjithashtu janë komuna tjera ku ne mendojmë se do të fitojmë pa balotazh” – vijoi ai në emisionin Contex në ATV në prag të raundit të parë.
Në fakt, ky parashikimi doli të ishte një huqje e madhe, duke qenë se Lëvizja Vetëvendosje nuk fitoi asnjë komunë pa balotazh, teksa në Mitrovicë nuk arriti të shkonte as në balotazh, me Agim Bahtirin që mori vetëm 34% të votave.
Tutje, Muja parashikoi që Vetëvendosje do të dilte e para edhe në Vushtrri, Kamenicë, Malishevë, Viti, Istog dhe do të shkonte në balotazh në Ferizaj.
“Në kuptim të komunave të tjera ku dominon një frymë pro Vetëvendosjes, ku do të dalim të parët janë Vushtrria, Kamenicë, Malishevë, aty ku poashtu ku VV mëton me fitu në balotazh është Viti, Istog, edhe natyrisht komuna e Ferizajit, ku gara duket se do të shkojë në balotazh”.
Vetëvendosja nuk arriti të prekte balotazhin në Vushtrri, Malishevë, Istog dhe Ferizaj, teksa në Kamenicë dhe Viti u rendit në vendin e dytë.
Pas këtyre huqjeve të mëdha, Muja ka preferuar heshtjen duke mos dhënë asnjë parashikimi për rezultatin e raundit të balotazhit që do të zhvillohet me 14 nëntor