Balerini Sinan Kajtazi është zgjedhur drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës. Tre vjet pasi ky institucion është pa udhëheqës, por vetëm me zëvendësues të drejtorit, Këshilli Drejtues ka vlerësuar Kajtazin për të drejtuar BKK-në, shkruan Koha.net.
Ministria e Kulturës të martën ka publikuar kandidatin e suksesshëm. Një konkurs për këtë pozitë kishte dështuar në nëntor të vitit 2020. E kësaj radhe, konkurrentë ishin edhe balerini Kreshnik Musolli e balerina Sabrije Spahiu. Po ashtu, edhe koreografët Labinot Rexhepi e Driton Saqipi.
Balerini Sinan Kajtazi ishte zgjedhur në këtë pozitë para më shumë se dy vjetësh. Saktësisht në qershor të vitit 2018. Por një opinion i Agjencisë Kundër Korrupsionit kishte bërë që ai të mos qëndronte më shumë se 12 ditë si i zgjedhur në pozitën e drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës. Nëpërmjet një konkursi të brendshëm në fund të qershorit të vitit 2018, MKRS-ja kishte dhënë njoftimin për të si “kandidat të suksesshëm”, kur kishte bërë me dije se Kajtazi ishte zyrtarizuar në këtë pozitë. Por AKK-ja kishte konstatuar se ai nuk mund ta mbajë pozitën pa kaluar dy vjet prej largimit nga Këshilli Drejtues i këtij institucioni.
Sinan Kajtazi ka lindur në Mitrovicë. Ka studiuar muzikë dhe vallëzim në shkollën “Prenkë Jakova” në Prishtinë, nga e cila u diplomua në vitin 2005. Ai ka mbaruar edhe Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës.
Ai është balerin kryesor në Baletin Kombëtar të Kosovës dhe në të njëjtën kohë një muzikant i arrirë, duke luajtur klarinetë, saksofon, piano dhe instrumente të tjera.
Kajtazi u vlerësua edhe me Çmimin “Artisti i Vitit” nga Ministria e Kulturës në vitin 2016.
Përveç që ka luajtur përmbi 70 premira baleti, në shumicën prej të cilave kishte role kryesore, ai përformoi me këto shfaqje edhe në qendra të ndryshme të Evropes. Po ashtu, Kajtazi kishte qenë i ftuar nga teatri i famshëm amerikan “La Mama”, ku luajti rolin kryesor në një shfaqje për të cilën shkruajti edhe The New York Times.