Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë pas sulmit në Zveçan.
Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se në mbledhje është diskutuar për sulmin me granata dore në Postën e Kosovës në Zveçan me 1 prill.
Poashtu bëhet e ditur se janë arrestuar katër ‘pelegrinë’ serbë në Gjakovë – nga të cilët njëri ishte toger i policisë së Serbisë e tjetri kapiten i ushtrisë së Serbisë
“U raportua dhe diskutua për gjendjen e përgjithshme të sigurisë me theks te planet destabilizuese dhe ndërhyrjet kriminale të Serbisë. Më 1 prill pas mesnate u sulmua me dy granata dore zyra e Postës së Kosovës në Zveçan, nga të cilat njëra shpërtheu. Zyra e Postës në Zveçan është riparuar plotësisht dhe tani vijon normalisht dhënia e shërbimeve publike atje. Kur kësaj i shtojmë edhe arrestimin e mbrëmshëm të katër ‘pelegrinëve’ serbë në Gjakovë – nga të cilët njëri ishte toger i policisë së Serbisë e tjetri kapiten i ushtrisë së Serbisë, dhe krejt çfarë u është konfiskuar atyre – kërkohet që të gjitha institucionet dhe mekanizmat e shtetit ta mbajnë lart vëmendjen dhe gatishmërinë”, thuhet në komunikatën për media.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, dje rreth orës 18:30 janë arrestuar katër serbë, të cilëve u janë gjetur dy thika dhe një sëpatë.
“Rr. Gasper Karaqi, Gjakovë / 05.04.2025 – 18:30. Katër të dyshuar meshkuj janë arrestuar për shkak se gjatë kontrollit në bagazhin e veturës së tyre me targa të Serbisë janë gjetur dhe sekuestruar dy thika dhe një sëpatë. Të dyshuarit në konsultim me prokurorin janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.