Anti-korrupsioni del me raport për rastin e profesorit në Universitetin e Mitrovicës, Agron Beka

Publikuar më:

Anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës e profesori në Universitetin e Mitrovicës, Agron Beka, ishte paguar mbi 2 mijë euro për një numër ligjëratash që nuk i kishte mbajtur asnjëherë.

Kjo pasi studentët kishin zgjedhur një tjetër lëndë zgjedhore. Megjithatë, Beka i kishte dorëzuar listat për kompensim në departamentin e financave.

Për këtë rast, ndaj Bekës kishte pasur edhe kallëzime penale. Në gjithë këtë situatë ishte i përfshirë edhe Salem Lepaja, ish-profesori i kryeministrit Kurti, aso kohe kryesues i Këshillit Drejtues në Universitetin e Mitrovicës.

Së fundmi për këtë rast ka dalur me një raport edhe Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit. Në raportin e Agjencisë që dikur njihej si Anti-korrupsioni, ka kërkuar nga Universiteti i Mitrovicës të hetohen shkeljet e mundshme për këtë rast.

Agron Beka / Ekskluzive: Policia ngre kallëzim penal ndaj Agron Bekës, anëtar i Këshillit Prokurorial
Raportin e Agjencisë e ka siguruar gazeta Nacionale, e ku thuhet se Universiteti duhet të jetë më i vëmendshëm herave të tjera për të shmangur raste të tilla si i Agron Bekës.

“Me qëllim të parandalimit të mundësisë për keqpërdorim të mundshëm, Agjencia kërkon nga ju si institucion kompetent që të vlerësoni nëse në këtë rast ka elemente për inicimin e procedurës përkatëse në kuadër të autorizimeve tuaja. Sipas vlerësimit tonë e konsiderojmë si të rëndësishme që në të ardhmen të sigurohet kontrollë më e shtuar nga personat përgjegjës, me qëllim të evitimit të rasteve si ky”, thuhet në raportin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.

Në raport thuhet se Agjencia është në dijeni edhe për hetimet nga Prokuoria Themelore në Ferizaj. Megjithatë, Nacionale kishte raportuar më herët se hetimet ndaj Bekës ishin ndaluar pasi nuk ishin gjetur prova të mjaftueshme. Gjithnjë sipas arsyetimit të Prokurorisë në Ferizaj.

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka theksuar se është vërtetuar që profesori Beka, ishte paguar për ligjëratat që s’i ka mbajtur asnjëherë. Kjo pasi studentët kanë zgjedhur një lëndë tjetër, e jo atë të anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

“Sipas shkresave të lëndës të siguruara nga UMIB vërtetohet se profesor Agron Beka, për lëndën zgjedhore Taktika Kriminalistike kishte nënshkruar listat e zbrazëta (Evidencat e Vijueshmërisë), për muajt: Tetor, Nëntor, Dhjetor 2021, dhe Janar 2022, edhe pse orët/ligjëratat nuk ishin mbajtur fare, për faktin se asnjë studentë nuk e kishte përzgjedhur si lëndë zgjedhore lëndën Taktika Kriminalistike. Fakti se asnjë studentë nuk e kishte përzgjedhur si lëndë zgjedhorë lëndën Taktika Kriminalistike po ashtu konstatohet edhe nga raporti i gjeneruar nga sistemi SEMS, ku shihet se nuk ka të dhëna për ndonjë studentë i cili mund ta ketë përzgjedhur lëndën në fjalë”, thuhet në raportin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.


“Pavarësisht se ligjëratat nuk ishin mbajtur fare nga profesori Agron Beka, ky në Raportet mujore të lëndëve të planifikuara i kishte futur edhe këto orë, dhe i kishte dorëzuar në administratë për kompensim dhe ishte paguar për to”, thuhet më tutje.

Përveç kallëzimit penal ndaj Bekës që ishte ngritur nga Policia e që u rrëzua nga Prokuroria e Ferizajt, një kallëzim penal ishte dorëzuar ndaj anëtarit të KPK-së dhe Salem Lepajës edhe në Prokurorinë e Mitrovicës. Nuk dihet se çfarë ka ndodhur deri më tash me këto hetime.

Akuzat i kishte mohuar kategorikisht Beka në një prononcim për Nacionalen.

“Çdo veprim i imi si dekan dhe profesor në UIBM ka qenë dhe është në harmoni të plotë me legjislacionin në fuqi, Statutin dhe aktet tjera normative të këtij institucioni (përkundrazi ky institucion është edhe i paditur nga ana ime për kompensimin e disa mijëra eurove që nuk i ka paguar për ligjëratat e mbajtura nga ana ime), ndërsa lidhur me disa abuzues që i kam atakuar me kallëzime penale ju njoftoj se këtu kemi të bëjmë me disa abuzues që kanë bashkëpunuar dhe bashkëpunojnë ngushtë për interesa personale dhe grupore në UIBM me DISA ZYRTARË TË LARTË SHTETËROR dhe faktet e shumta (mbi 250 prova) që i kam ofruar organeve të drejtësisë besoj se do ta dëshmojnë përgjegjësinë e tyre ligjore, në mesin e tyre edhe për krime ekonomike, falsifikime të dokumenteve zyrtare, konflikt të interesit, keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar, pengim në menaxhim, etj.”, kishte thënë ai

Dyshimet për dallavere
Agron Beka, anëtar i Këshillit Prokurorial, ishte shkarkuar nga pozita e Dekanit të Fakultetit Juridik në Mitrovicë në shtatorin e vitit të kaluar.

Arsye për këtë ishin bërë dyshimet e Senatit se Beka nuk kishte arritur t’i kryente me sukses detyrat e tij.

Ndaj Agron Bekës ishte ngritur kallëzim penal në gusht të vitit 2022. Kallëzimi ishte ngritur nga dy ish-prodekanë të fakultetit Juridik në Mitrovicë. Beka dyshohej se kishte përfituar jashtëligjshëm 700 euro, nga ligjëratat që nuk i kishte mbajtur.

Madje, përveç tij në këtë kallëzim penal ishte i përfshirë edhe Salem Lepaja. Në opinion Lepaja njihet si profesori i kryeministrit Albin Kurti, i cili në disa intervista të ndryshme, kishte pasur fjalë të mëdha për Kurtin sa ishte student.

Agron Beka / Shkarkimi nga pozita e dekanit – anëtari i Këshillit Prokurorial Agron Beka e humb betejën e parë me gjykatën
Beka në kallëzimin penal e vitit të kaluar dyshohej për konflikt të interesit e keqpërdorim të detyrës zyrtare. “Këto vepra penale i ka konsumuar në atë mënyrë që ka dorëzuar listat e mbarvajtjes së ligjëratës gjatë tërë semestrit dimëror 2021/2022, pa asnjë studentë duke e fshehur. faktin që studentët kanë përzgjedhur lëndën tjetër zgjedhore. Po ashtu, ka ushtruar (ende vazhdon) funksione menaxheriale të cilat e vëjnë në pozitë të konfliktit të interesit dhe këto pozita janë: pozita e Dekanit të Fakultetit Juridik dhe atë të anëtarit të Këshillit Prokurorial”, thuhet në kallëzimin penal që e kishte siguruar Nacionale.

E Salem Lepaja dyshohej për mashtrim dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, në cilësinë e kryesuesit të Këshillit Drejtues të Universitetit. “I dyshuari tjetër Salem Lepaja, ka mashtruar dhe kepërdor detyrën zyrtare duke shfrytëzuar pozitën e kryesuesit të Këshillit Drejtues, UIBM, ashtu që me qëllim të mbroj nga ligji Agron Bekën, nuk i ka vendosur në rend të ditës këto kërkesa për zbatimin e ligjshmërisë: kërkesën e prorektores Ajtene Avdullahi lidhur me çështjen e trajtimit të listave të zbrazta; Ankesën e Parlamentit studentor ndaj Dekanit Agron Beka si dhe kërkesën për zbatimin e ligjshmërisë të parashtruar nga Xhemajl Veliqi”, thuhej në këtë kallëzim penal.

Madje, në atë kallëzim penal, Beka dyshohej se kundërligjshëm e ka propozuar veten për anëtar në Këshillin Prokurorial të Kosovës. Megjithatë, nuk dihet nëse këto elemente i përmban edhe kallëzimi penal që ia ka ngritur Policia e Kosovës.

JU REKOMANDOJMË