Kryetari i VV-së, Albin Kurti, e ka quajtur alarmuese situatën me vërshime në disa qytete të Kosovës.
Duke publikuar fotografi edhe nga Vushtrria, Kurti ka thënë se kjo ka nxjerr në pah dështimet e qeverisjes 20 vjeçare, shkruan “Jepi zë”.
Ndërkaq, ai ka paralajmëruar edhe hetime për ndërtues e gurthyes, për të cilët thotë se dëmtuan natyrën.
Po ashtu, Kurti ka thënë se me këto vërshime u shfaq si qilim edhe asfalti me të cilin, sipas tij, partitë po duan vota.
Reagimi i Kurtit:
Është alarmuese situata në të cilën gjendet Kosova pas reshjeve të mëdha e vërshimeve që pasuan. Rrallë ka mbetur ndonjë vend ku nuk janë bllokuar e nuk kanë shpërthyer kanalizimet, ndërkohë që gjithë kompanitë rajonale të ujësjellësit po aplikojnë kufizime, sepse fabrikat e ujit nuk po mund ta përballojnë pastrimin e ujit të turbulluar prej vërshimeve.
Mësova me keqardhje se edhe shtëpia muze e nënës Ferdonije Qerkezi është dëmtuar nga vërshimet, që kanë prekur gjithë Gjakovën. Gjilani, Drenasi, Ferizaji, Fushë-Kosova, Vushtrria, Klina, Malisheva, Lipjani, Prizreni e komuna tjera dhe disa vende në Prishtinë po ashtu janë vërshuar gjatë ditëve të fundit. Dëmtime kanë pasur shumë ferma bujqësore e blegtorale, por edhe katet e para, banesa e lokale tregtare nëpër qytete. Janë dëmtuar edhe automjete e prona të tjera të qytetarëve.
Përballë forcave të natyrës njeriu është shpesh i vogël për t’u mbrojtur, e megjithatë, shtetet e organizuara mirë dallojnë prej të tjerave pikërisht sepse janë të përgatitur me dije e me struktura për të administruar me sa më pak kosto edhe probleme të tilla.
Populli i Kosovës, këtë organizim funksional dhe këtë përkujdesje e mbrojtje, me të drejtë e kërkon dhe e pret nga shteti i vet.
Por shiu ka nxjerrë në pah edhe dështimet e keqqeverisjes 20 vjeçare. Asfaltit me të cilin partitë e vjetra duan të marrin vota, u rishfaq si të ishte një qilim i lagur. Rrugët u prishën prej shembjeve të dheut, e të gjithë pamë se shtresa e asfaltit ishte e hollë dhe mungonin bazamentet siç i kërkon standardi inxhinierik. Pyjet janë prerë pa kontroll e pa plan. Brigjet e lumenjve janë rrënuar nga eksploatimet e egra të zhavorit. Gurthyesit pranë rrugëve të asfaltuara kanë eliminuar mbrojtjen që ofrojnë kodrinat për shtigjet qarkulluese.
Ne do të insistojmë që Prokuroria menjëherë të hap hetimet për ndërtuesit e rrugëve, pronarët e gurthyesve, inspektorët e mbikqyrësit, por edhe për politikanët që kanë shpallur e kanë marrë vendim për tenderët dhe për konkurset. Është marre dhe është mëkat që me taksat e këtij populli të paguash çmimin shumë të shtrenjtë për rrugët krahasuar me rajonin, e në fund ato të jenë të cilësisë më të dobët.
Të varfëruar prej shekullit të pushtimit, të plaçkitur prej politikave neoliberale të pasluftës, të dobësuar prej krizës ekonomike e prej izolimit, e në vitin e fundit të rënduar edhe prej pandemisë, tash edhe shirat e vërshimet, shtoju këtyre edhe korrupsionin, kjo është një barrë shumë e madhe për bashkëqytetarët tanë.
Megjithatë, jemi optimistë sepse keqqeverisjen e krimin do t’i largojmë prej pushteti, e dalëngadalë do të punojmë së bashku me të gjithë ata që e duan punën e ndershme, që e respektojnë ligjin, që të forcohemi si vend. Puna dhe organizimi do t’i kthejnë gjërat kah e mbara.