Albin Kurti e quante KEDS-in zhvatëse dhe krim privatizimin, Faruk Mujka bën fushatë për ta liruar nga taksa

Publikuar më:

Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, dështoi që ta kalojë në Kuvend Komunal pikën për ta liruar KEDS-in nga taksa komunale për dëmet që do të bëhen për futjen e kabllove nën tokë.


Por, cka bie në sy, është fushata që ai kishte bërë një ditë para seancës. Gjatë ditës së djeshme ai fliste fjalë të mira për KEDS, madje kërkonte të lirohet nga taksa që parashihet të paguhet për dëmet që bëhen në rrugë, shkruan Jepi zë.

“Me rëndësi të posaçme mendoj është edhe pika ku KEDS-i kërkon të lirohet nga taksa komunale për dëmtimin e rrugëve. KEDS planifikon që kabllot e rrymës të cilat kalojnë nëpër shtylla ti vendos në gypat nëntokësore. Fillimisht do të fillohet me lagjet në Urën e Gjakut, Vaganicë, Kçiq, Shupkofc dhe besojmë se në fazat e mëvonshme të përfshihen edhe të gjitha lagjet tjera”, shkruante Faruk Mujka dje.

Mirëpo, mendim aspak të ngjashëm për KEDS-in kishte shefi i tij, Albin Kurti. Madje privatizimi i KEDS për Kurtin ishte criminal, dhe kërkonte të niste hetim.

“Ka pasur mjaftueshëm shkelje të kushtetutës e transparencës në mënyrë që të fillonte një hetim. Të shitet për 26 milionë euro. Unë do të isha në këtë rast si kryeministër me qëndrime politike të përvojës sime në politikë dhe janë pastaj juristët për të hetuar shkeljet”, thoshte ai në vitin 2017.

Kurti thoshte se KEDS do të hetohet sapo të vijë në Qeveri VV-ja. Kjo gjë nuk ndodhi në ditët sa qëndruan në ekzekutiv.

“Jemi qeveri e cila nuk do të hakmerret por nuk do ti falim krimet, nëse ka pas krime atëherë do të trajtohen”, shtonte ai.

Sidoqoftë, koha që qëndroi në qeverisje mund të ketë qenë  e mjaftueshme për t’u marrë me këtë temë, mirëpo koha e gjatë në qeverisje e Mujkës si duket ka ndikuar që të ndryshojë qëndrim.

Vlen të theksohet se VV-ja kishte protestuar dhe ishte bashkuar në protesta kundër privatizimit të KEDS si dhe shtrenjtimit të rrymës./Jepize

JU REKOMANDOJMË