Albin Kurti e punëson në Kryeministri ish-deputetin e PDK-së

Publikuar më:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka emëruar Andin Hotin, si Kryesues të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur.

“Çështja e personave të zhdukur është një nga çështjet prioritare të Qeverisë së Kosovës, dhe emërimi i sotëm tregon që kjo temë shkon përtej politikës. Dhimbja dhe ankthi me të cilën familjet përballen që 23 vite, rritet çdo ditë e më shumë, andaj është obligim i yni si Qeveri që të bëjmë më të mirën e mundshme për t’ua zbutur këtë gjendje duke u angazhuar më shumë për zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Më tej në njoftim thuhet se për Qeverinë e Kosovës është e rëndësishme që të ketë “një front të përbashkuar karshi Serbisë, në kërkesat tona për ballafaqim me të kaluarën”.

Ndryshe, duhet theksuar se djali i Ukshin Hotit, Andini, ka qenë deputet i Partisë Demokratike të Kosovës gjatë mandatit të parafundit. Ai ishte mjaft i zëshëm në temën e të zhdukurve.

JU REKOMANDOJMË