Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, ka takuar sot ambasadorin e Turqisë, Çağri Sakar, të cili i ka konfirmuar që do ta shqyrtojnë vendimin për vendosjen e ambasadës në Jerusalem.
Lëvizja Vetëvendosje e thekson se marrëdhëniet diplomatike me Izraelin janë të rëndësishme, mirëpo nuk kanë hezituar ta thonë se janë pajtuar me letrën e presidentit turk, Erdogan, i cili kërkon shqyrtimin e këtij vendimi.
“Sa i përket çështjes rreth vendosjes së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Jerusalem, Kurti tha se njohja dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me shtetin e Izraelit është shumë e rëndësishme për Kosovën, dhe mundësi e mirë për zhvillim, ndërsa rreth vendit se ku do të vendoset ambasada është një çështje që do të shqyrtohet duke parë edhe dokumentacionin e qeverisë në ikje”, thuhet në njoftimin e partisë.
Ndërkohë, komunikata e partisë së Kurtit thotë se në takim u potencua rëndësia e marrëdhënieve në mes të dyja vendeve.
Sidoqoftë, presidenti Erdogan iu drejtua Albin Kurti me një videomesazh ku u shpreh i gëzuar me qëndrimin e partisë së tij rreth shqyrtimit të vendimit për vendosjen e ambasadës në Jerusalem, i cili vendim u mor në Shtëpinë e Bardhë.
Ndryshe, qëndrimi amerikan rreth kësaj teme është i prerë, pasi kërkojnë që ambasada e Kosovës të vendoset pikërisht në Jerusalem, e cila pikë e marrëveshjes solli edhe njohjen nga shteti izraelit.