Kryetari i Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri, është i bindur që mandatin e tretë si kryetar i kësaj komune do ta fitojë pa pas nevojë për balotazh në zgjedhjet e ardhshme lokale që pritet të mbahen sivjet në Kosovë.
“Po jam kandidat për kryetar të Mitrovicës dhe do të fitoj me mbi 60 për qind të votave”, tha Bahtiri në një intervistë për Albanian Post.
Ai deklaroi se garës për herë të tretë për kryetar komune do t’i hyjë për dy arsyeje.
“Pa u zgjedhur problemi i lirimit të urës së Ibrit dhe kufijve administrativ të Mitrovicës nuk largohem nga Mitrovica”, theksoi ai.
Por, kur pyetet se pse ende ura e Ibrit nuk është hapur për lëvizje të veturave, ai potencon se e pati të pamundur pasi ndërkombëtarët i kishin thënë se po planifikohet një projekt për ndarjen e Kosovës, e ku do të përfshihej edhe Mitrovica.
“Ne kemi revitalizuar urën e Ibrit edhe kur është ardhë çështja që ta lirojmë urën ka qenë një problem tjetër, nisja e një procesi të mbrapsht për ndarjen e Kosovës”, shtoi Bahtiri.
Madje një gjë e tillë thotë Bahtiri se i është thënë edhe gjatë takimeve me ndërkombëtarët në Bruksel.
“Kur ka ardhë koha me lëshu urën në vitin 2018, atëherë kanë thënë që ne kemi një projekt ma madhor dhe ne duhet të vazhdojmë me këtë projekt. Atëherë e kam kuptuar që është një projekt për ndarjen e Kosovës dhe këtë ma kanë thënë ndërkombëtarët gjatë një takimi dhe jam çuar në mënyrë demonstrative e kam lëshuar mbledhjen”, sqaroi kreu i Mitrovicës Jugore.
Edhe tani kur kanë kaluar dy dekada nga përfundimi i luftës në Kosovë, Bahtiri nënvizon se ura ende nuk është liruar, pasi sipas tij “ideja për ndarje të Kosovës është ende është në tavolinë”.
Megjithatë, është i bindur që këtë nuk do ta lejojë bashkëpartiaku nga Lëvizja Vetëvendosje që tani është kryeministër i Kosovës, Albin Kurti.
‘Me ardhjen e Qeverisë Kurti jam i bindur që ai plan nuk do të jetë kurrë në tavolinë”.
Megjithëse urën nuk arriti ta hap për qarkullim të veturave, i pari i kësaj komune potencon se ka krijuar siguri për investitorët.
“Investimet që i kemi bërë janë të shumta. E kemi përfituar një investitor në shalën e Bajgores si njëri nga investimet më të mëdha pasluftës në Kosovë me mbi 167 milionë euro investime për rregullimin e mullinjve me erë të cilit do të prodhojnë 110 megavat energji elektrike”.
Bahtri që la Holandën për ta drejtuar Mitrovicën thotë se qytetit ia ka kthyer dinjitetin.
“Ju ka kthyer dinjiteti Mitrovicës, sot e keni Mitrovicën krejt tjetër. Tash jemi duke investuar në projektin për liqenin artificial të Mitrovicës.
Krejt në fund Bahtiri flet edhe për qeverinë Kurti, për të cilën konsideron se do ta dëshmojë vetën vetëm se i duhet kohë.