Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike ka njoftuar se programi i studimeve Master “Teknologji Prodhuese dhe Menaxhment” është akredituar për një periudhë trevjeçare.
Sipas njoftimit, gjatë periudhës së akreditimit do të pranohen gjithsej 35 studentë, të cilët do të kenë mundësi të avancojnë njohuritë dhe kompetencat e tyre në fushën e teknologjive prodhuese, menaxhimit industrial, inovacionit dhe proceseve moderne të prodhimit.
Ky proces i akreditimit është udhëhequr nga prorektori i universitetit, Safet Abdullahu, i cili së bashku me ekipin e angazhuar ka luajtur rol kyç në përgatitjen dhe përmbushjen e kritereve të nevojshme për akreditim.
Nga fakulteti vlerësojnë se ky vendim përbën një dëshmi të përkushtimit të vazhdueshëm për ofrimin e programeve cilësore të studimit, të harmonizuara me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare të arsimit të lartë.
Me këtë rast, janë falënderuar të gjithë profesorët, stafi akademik dhe bashkëpunëtorët që me punën dhe angazhimin e tyre kontribuan në arritjen e këtij suksesi.







